Skip to main content
Donate Now

Kosovë: Aktgjykimet për krime lufte janë një hap drejt drejtësisë

Dënimet e ish-udhëheqësve sjellin llogaridhënien e shumëpritur

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi merr pjesë në gjykimin e tij për krime lufte në Hagë, Holandë, 3 prill 2023 © 2023 Koen van Weel/Pool via REUTERS

(Berlin, 17 shtator 2026) – Dënimet e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe të tre ish-udhëheqësve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për krime lufte, më 16 shtator 2026, paraqesin një hap të rëndësishëm drejt llogaridhënies për viktimat e konfliktit të viteve 1998-1999 në Kosovë, tha sot Human Rights Watch.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, shpallën fajtorë Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin për krime lufte, përfshirë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar. Gjykata i shpalli të katër burrat të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Dënimet lidhen me krime të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, ndaj shqiptarëve të Kosovës, serbëve, romëve dhe të tjerëve. Gjykata e dënoi Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burg, Veselin me 18 vjet dhe Selimin me 13 vjet burg.

“Ky vendim u përcjell një mesazh të rëndësishëm viktimave dhe familjeve të tyre se edhe udhëheqësit e fuqishëm nuk mbi ligjin”, tha Hugh Williamson, drejtor në Human Rights Watch për Evropën dhe Azinë Qendrore. “Konstatimet e gjykatës theksojnë se llogaridhënia për krime të rënda të kryera gjatë një konflikti të armatosur duhet të zbatohet ndaj të gjithëve, pavarësisht nga pozita apo nga përkatësia e tyre.”

Aktgjykimi dokumenton përmasat dhe rëndësinë e shkeljeve të konstatuara. Trupi gjykues arriti në përfundimin se, ndërmjet prillit 1998 dhe 20 qershorit 1999, të akuzuarit mbajnë përgjegjësi penale për arrestimin dhe ndalimin arbitrar të 385 personave në qendrat e ndalimit të UÇK-së, për torturimin e 303 personave, për trajtimin mizor të 49 personave dhe për vrasjen e 96 personave. Ndër viktimat kishte shqiptarë të Kosovës, të cilët konsideroheshin kundërshtarë politikë ose bashkëpunëtorë, si dhe serbë dhe romë.

Gjykatësit konstatuan se të akuzuarit ndanin një qëllim të përbashkët kriminal për të vënë në shënjestër, ndaluar dhe, kur e konsideronin të nevojshme, vrarë personat e perceptuar si kundërshtarë të UÇK-së, e cila synonte pavarësinë nga Serbia. Ata konstatuan se të katër personat kishin vepruar së bashku për zbatimin e këtij plani kriminal, ndër të tjera, nëpërmjet strukturave të ndalimit, policisë ushtarake, strukturave të inteligjencës dhe njësive speciale.

Gjykata i shpalli të pafajshëm të katër të pandehurit për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit, duke arsyetuar se Prokuroria nuk kishte vërtetuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se veprimet konkrete ishin “të drejtuara kundër një popullsie civile”, element ky i domosdoshëm për konstatimin e ekzistencës së krimeve kundër njerëzimit, krahas kërkesës që këto veprime të jenë pjesë e një sulmi të përhapur ose sistematik. Gjykata gjithashtu i shpalli të katër të pandehurit të pafajshëm në lidhje me një sërë incidentesh të tjera të pretenduara si krime lufte, për të cilat arriti në përfundimin se ose nuk ishin vërtetuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, ose ishin përfshirë në një akuzë tjetër, më specifike, ose ndodheshin jashtë juridiksionit të gjykatës. Në kategorinë e fundit përfshiheshin incidentet e pretenduara pas 20 qershorit 1999, pasi gjykata konstatoi se konflikti i armatosur kishte përfunduar në atë datë dhe, për rrjedhojë, veprimet e kryera pas saj nuk mund të cilësoheshin si krime lufte.

Gjykatësit theksuan se UÇK-ja, si e tillë, nuk ishte objekt i gjykimit dhe se çështja gjyqësore nuk kishte të bënte me legjitimitetin e luftës së UÇK-së, me krimet e kryera nga forcat serbe dhe jugosllave kundër shqiptarëve të Kosovës, apo me përpjekjen për të vënë në ekuilibër krimet e kryera nga njëra palë me krimet e kryera nga pala tjetër. Objekti i aktgjykimit ishte llogaridhënia individuale penale e katër të pandehurve për krime konkrete të kryera kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës.

Gjykatësit deklaruan se procesi gjyqësor ishte zhvilluar në një “atmosferë të frikësimit të dëshmitarëve”. Gjykata deklaroi se disa dëshmitarë kishin dhënë deklarime të pavërteta para trupit gjykues ose kishin ndryshuar versionet e mëparshme të dëshmive të tyre, ndërsa frika për sigurinë e tyre mund të kishte ndikuar në përmbajtjen e disa dëshmive. Ndërkohë, Thaçi përballet me një çështje të dytë gjyqësore, së bashku me katër persona të tjerë, para Dhomave të Specializuara të Kosovës, lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.

Human Rights Watch deklaroi se ky aktgjykim vjen në një kontekst më të gjerë të një procesi ende të paplotë të vendosjes së përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë konfliktit në Kosovë, përfshirë krimet e kryera nga forcat serbe dhe jugosllave.

Siç ka dokumentuar Human Rights Watch, gjatë konfliktit, forcat serbe dhe jugosllave ishin përgjegjëse për krime sistematike dhe të përhapura, përfshirë torturën, vrasjet, përdhunimet dhe dëbimet me forcë.

Në nivelin e lartë drejtues, ish-Presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, si dhe, në procese të veçanta gjyqësore, shtatë zyrtarë të tjerë të rangut të lartë serbë dhe jugosllavë, u gjykuan pranë Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Një prej tyre u shpall i pafajshëm, ndërsa gjashtë u shpallën fajtorë; Millosheviçi vdiq gjatë procesit gjyqësor. Disa zyrtarë serbë dhe jugosllavë, të dënuar nga tribunali i Kombeve të Bashkuara, janë nderuar më pas publikisht në Serbi, gjë që thekson nevojën e vazhdueshme që udhëheqësit politikë në Serbi dhe në rajon të njohin faktet e vërtetuara lidhur me krimet e kryera gjatë luftës dhe të mbështesin vendosjen e llogaridhënies për to.

Në nivelin e brendshëm, gjykatat serbe kanë shpallur fajtorë, me vendime të formës së prerë, 17 persona për krime lufte të lidhura me Kosovën, përfshirë 15 serbë. Ndjekjet penale të zhvilluara në Serbi kanë qenë kryesisht të përqendruara tek autorët e niveleve më të ulëta, në vend që të përfshinin zyrtarë të lartë ushtarakë ose policorë. Megjithatë, për pjesën dërrmuese të krimeve të luftës, askush nuk është mbajtur përgjegjës. Human Rights Watch deklaroi se vendimi i 16 shtatorit duhet të shërbejë si shtysë për ripërtëritjen e përpjekjeve për të garantuar drejtësinë për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë.

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë kompetencë juridiksionale mbi krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe vepra të tjera penale sipas legjislacionit të Kosovës, që lidhen me pretendimet e paraqitura në një raport të Këshillit të Evropës të vitit 2010. Dick Marty, senatori zviceran që hartoi raportin, deklaroi në të se disa ish-anëtarë të lartë të UÇK-së mbanin përgjegjësi për rrëmbime, rrahje dhe ekzekutime pa gjyq gjatë dhe pas luftës. Human Rights Watch ka dokumentuar gjithashtu sulmet të kryera pas luftës ndaj serbëve dhe romëve.

Në bazë të raportit të Këshillit të Evropës, Bashkimi Evropian, me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krijoi Grupin e posaçëm hetimor (Special Investigative Task Force – SITF), me seli në Bruksel dhe me staf ndërkombëtar, me qëllim hetimin e pretendimeve të paraqitura në raport. Prokurori kryesor i grupit hetimor i paraqiti gjetjet e hetimit në vitin 2014, përfshirë konstatime lidhur me kërcënimin e dëshmitarëve, dhe arriti në përfundimin se ekzistonin baza të besueshme për ngritjen e aktakuzave.

Pasi Kosova ndryshoi Kushtetutën e saj dhe miratoi një ligj të ri në vitin 2015, u krijuan Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë dhe me financim nga Bashkimi Evropian, si dhe nga Kanadaja, Norvegjia, Zvicra, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të tre Prokurorët e deritanishëm të Specializuar kanë qenë shtetas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Për shqiptarët e Kosovës, serbët, romët dhe të tjerët që përjetuan këto krime të tmerrshme, ky vendim përfaqëson një masë të drejtësisë së vonuar prej kohësh”, tha Williamson. “Kjo shërben si një kujtesë se të gjitha viktimat e krimeve të rënda të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë meritojnë drejtësi, pavarësisht nga përkatësia etnike apo lidhja e viktimës ose përkatësia e viktimës ose e autorit të veprës penale ndaj një grupi apo pale të caktuar.”

Your tax deductible gift can help stop human rights violations and save lives around the world.